Nga Shqipëria merr pjesë antarja e Shoqatës Esperantiste Shqiptare, zonja Marta Oto. Në kongres do marrin pjesë më shumë se 2000 delegatë por ata nuk do kenë fare nevojë për përkthyes për të diskutuar lidhur me temën e mësipërme. Secili delegat do flasë në gjuhën Esperanto. Numri i madh i mbledhjeve, ligjëratave, debateve dhe paraqitjeve artistike do funksionojë pa pengesa komunikimi, askush nuk do përjashtohet për shkak të problemeve gjuhësore, moskuptimit.
Qyteti i kongresit, që secilin vit është një tjetër, shpesh jashtë kontinentit tonë- ndodhet pranë Bulonjës mbi det, ku edhe është zhvilluar Kongresi i parë Universal i Esperantos në vitin 1905.
Do ketë edhe ekskursione të organizuara për kongresitët.
Esperanto është bërë publike në vitin 1887, falë Luigj Llazar Zamenhofit, në Bialistok (sot në Poloni), pikërisht me synimin për ta lehtësuar komunikimin, për të lejuar ndërkuptimin e folësve të gjuhëve të ndryshme, në bazë të drejtësisë gjuhësore.
Kjo gjuhë ndëretnike përdoret sot gjërësisht në të gjitha fushat e kulturës, shkencës dhe jetës shoqërore, në kontaktet ndërmjet vendasve të ndryshëm nga e gjithë bota. Ajo është e vetmja që realizon një komunikim të drejtë me respekt të ndërsjellë ndërmjet njerëzve, mundëson shanse komunikimi të barabartë për përdoruesit, duke mos qenë një gjuhë amtare, e veçantë për një etni.
Kështu të drejtat gjuhësore të bashkëbiseduesve respektohen në mënyrë të ndërsjellë; pakicat, popujt indigjenë, antarët e etnive të ndryshme nuk duhet t'i nënshtrohen përdorimit të gjuhës amtare të dikujt tjetër.
Mjetet e sotme teknike e kanë përshpejtuar përhapjen dhe përdorimin e Esperantos në gjithë botën. Interneti, mundësitë e ndryshme kompjuterike, telefonat e xhepit, kurset në rrjet kanë ndihmuar dukshëm në rritjen e numrit të folësve të esperantos, të kontakteve të tyre, të takimeve.
Përveç kurseve të shumta vendore (psh për shqiptarët ne faqen esperantoshqipria.weebly.com) ekziston rrjeti ndërkombëtar www.lernu.net për të gjithë ata që duan ta mësojnë Esperanton, në më shumë se 40 gjuhë. Në çdo çast tingëllon nëpër botë kanali radiofonik rrjetor www.Muzaiko.info dhe dashamirësit e filmave mundet të shohin gjithashtu edhe kanalin rrjetor të televizionit në Esperanto: http://esperantotv.net
Google përkthen tani edhe në Esperanto. Vikipedia, enciklopedia rrjetore, përmban aktualisht 200'000 artikuj në Esperanto, duke qenë kështu Esperanto në grupin e dytë të gjuhëve që kanë për gjuhë më shumë se një mijë artikuj.
Është për t'u vënë re një karakteristikë e kryekuvendit botëror të esperantistëve, pikërisht përgatitja mbarëbotërore e rezolucionit të kongresit. Lëvizja esperantiste i ka aktivizuar antarët e vet në të gjithë kontinentet: shoqatat vendore të Shoqatës Universale të Esperantos, grupet vendore studiojnë temën e kongresit: "Gjuhët, artet dhe vlerat në dialogun ndërmjet kulturave", për të krijuar dhe dërguar ndihmesën e vet në hartimin e rezolucionit. Ky tekst gjatë debateve në Lille do të marrë redaktimin e fundit.
Sipas mundësive të veta, secili antar i rrjetit botëror të folësve të esperantos do mund të marrë pjesë në këtë dialog kulturor, të përshfaqë pikëpamjen e vet, dëshirën për cilësinë dhe format e shkëmbimeve ndërkulturore, ndëretnike, me qëllim për një ndërkuptim më të mirë, bashkëjetesë të qendrueshme paqësore mbarënjeërzore.
Bardhyl Selimi, Shoqata esperantiste shqiptare, 20 qershor 2015
100-a Universala Kongreso de Esperanto, Lillo, Francio, 25 julio - 1 aŭgusto 2015
26 korrik - Dita e Esperantos, dita e drejtësisë gjuhësore.
Përse Dita e Esperantos? Përse ajo është e rëndësishme për mbarë botën tani?
|